Votohet projektbuxheti 2015. Rama: I hap rrugë rritjes ekonomike

18 Nëntor 2014 – Pas gati 13 orësh diskutimi mazhoranca miratoi në parim buxhetin e vitit 2015, i cili u paraqit në Parlament nga Kryeministri Edi Rama. Në fjalimin, që zgjati për më shumë se një orë, kreu i Qeverisë nënvizoi që në fillim se thelbi i draftit është mbështetja e rritjes ekonomike pa masa shtrënguese.

“Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 për qindëshit në fund të vitit të katërt të këtij mandati”, tha Rama.

Duke shprehur keqardhjen për mungesën e opozitës në Parlament, teksa diskutohen dy nga ligjet më të rëndësishme të vitit, si buxheti dhe paketa fiskale, zoti Rama i është përgjigjur akuzave të saj në distancë për rritjen e taksave.

“Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3. Eshtë një Paketë Fiskale, që në kushtet e vendit tonë, na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin që të stimulojmë përpunimin në vend”, tha Rama.

Buxheti i vitit 2014 i rrit me rreth 49 miliardë lekë të ardhurat totale krahasuar me këtë vit, nga të cilat 16 miliardë vijnë nga rritja e taksave dhe pjesa tjetër nga rritja e ekonomisë dhe mirëadministrimi. Buxheti ul me 48 për qind deficitin buxhetor krahasuar me 2014, çka sipas Qeverisë bën të mundur që vitin tjetër borxhi publik të ulet pas disa vitesh rritje.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

“Kemi frenuar rënien ekonomike, kemi frenuar gropën e madhe ekonomike që gjetëm në Shtator 2013 dhe po konsolidojmë rritjen ekonomike me instrumentat buxhetorë”, saktësoi më pas ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh se buxheti i vitit 2015 realizon zbatim të programeve elektorale dhe të qeverisjes. Gjithashtu, sipas ministrit, ai ka në objektiv vendosjen e balancave makroekonomike dhe uljen e borxhit.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A