Vendimi i Apelimit Tatimor, profesionet e lira pa kasë fiskale

23 Shkurt 2016 – Drejtoria e Apelimit Tatimor ka nxjerrë një vendim, i cili sanksionon se tatimpaguesit që kryejnë shërbime vetëm nëpërmjet bankës nuk kanë detyrimin për t’u pajisur me pajisje fiskale. Vendimi u hap rrugë subjekteve që ushtrojnë profesione të lira private si avokat, noter, kontabilist, konsulent, auditues etj, që të mos mbajnë kasa fiskale, por t’i deklarojnë pagesat vetëm përmes bankave.

Vendimi i firmosur nga drejtori i Apelimit, Flamur Lalo, i referohet një kërkese të bërë nga një kontabilist i miratuar privat për anulimin e gjobës së vendosur nga Administrata Tatimore, Tatimet për mosinstalimin e kasës fiskale.

Sipas ligjit, “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”

Pas këtij precedenti, avokatët, arkitektët, inxhinierët, kontabilistët, ekspertët, studiot audituese, përmbaruesit privatë, pra të gjithë ata që nuk kryejnë shërbim me para në dorë, nuk do të jenë të detyruar të mbajnë në tavolinën e tyre pajisjen fiskale.

(Gazeta Shqip)

Gjirofarm SH.A