Ulen kreditë e këqija në tremujorin e fundit të 2014

3 Mars 2015 – Tremujori i fundit i vitit 2014 ka shënuar një rënie të ndjeshme të kredive me probleme në sistemin tonë bankar, treguesi i të cilave nga 25% është ulur në 22.8%. E dhëna vjen përmes të treguesve të paaudituar të Shoqatës Shqiptare të Bankave e cila ka publikuar dje rezultatet e raportuara nga bankat tregtare. “Cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të katërt 2014, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit dhjetor, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës.

Ky përmirësim është reflektuar edhe në uljen e kostove të provigjionimit dhe rritjen e përfitueshmërisë së bankave” thekson në një deklaratë të djeshmepër shtyp Shoqata e Bankave. Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të vitit 2014 arriti në rreth 1,072 miliardë lekë, me një rritje prej 2.1% (rreth 22 miliardë lekë) krahasuar me tremujorin e kaluar, ose 4.5% krahasuar me fundvitin 2013.

Tremujori i fundit 2014 shënoi rritjen më të lartë të tepricës së e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat përgjatë vitit, me rreth 17.9 miliardë lekë ose 3.1%. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori ishte rreth 71 miliardë lekë ose 10% më shumë se një tremujor më parë, ndërkohë që totali i kredisë së re të disbursuar përgjatë gjithë vitit 2014 ishte rreth 16.4% më e lartë sesa disbursuar në 2013. Rreth 85% e kësaj kredie ka shkuar për bizneset ndërkohë që rreth 48% e saj është disbursuar në lekë.

Edhe pse në ritme më të lehta, vazhdon të vihet re një zhvendosje drejt huadhënies në monedhën vendase. Si për bizneset edhe për individët, pjesa më e madhe e kredisë së re ka shkuar për nevoja likuiditeti. “Veçoria në ecurinë e depozitave, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe në kushtet e rënies së normave të interesit, ishte zhvendosja e kursimeve nga tregu i letrave me vlerë dhe depozitat afatshkurtra drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet, që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta”, thekson Shoqata e Bankave.

(Shqiptarja.com)

Gjirofarm SH.A