Turizmi në Shqipëri, biznesi kërkon uljen e TVSH-së

15 Nëntor 2014 – Valës së kërkesave nga biznesi për ndryshimet fiskale, në prag të miratimit të paketës së re, i është bashkuar edhe Shoqata e Operatorëve Turistikë.

Ata thonë se sipërmarrja në turizëm duhet të përballojë një barrë fiskale shumë më të lartë se vendet fqinje, duke u ulur aftësinë konkurruese në rajon.

“Në rast se të gjithë taksat në rajon shkojnë nga 9 deri në 10,5 përqind, në Shqipëri shkojnë nga 29 në 31-32 përqind. Pra, që në këtë moment, ne jemi të goditur në mënyrë totale nga sistemi i taksave”, tha Zak Topuzi, nga Shoqata shqiptare e Turizmit.

Biznesi këmbëngul se një nga masat, që do të nxirrte turizmin nga gjendja e emergjencës – siç shprehet ai, – është reduktimi i TVSH-së për turizmin dhe taksa fikse e qytetit, që aktualisht është 3% e çmimit.

“Theksojmë se vendosja e TVSH-së në hotele në nivelin 10%, dhe bërja e taksës së fjetjes (city tax) fikse, në masën 100 lekë, nuk ka efekte negative në buxhet, përkundrazi rrit të ardhurat në të dhe rrit gjithashtu punësimin”, tha Enver Mehmeti, nga Shoqata shqiptare e Turizmit.

Shoqata e Turizmit kërkon marrjen e masave të menjëhershme për uljen e informalitetit, që sipas një studimi të “GIZ” është në masën 80%.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A