Tregu i gazit në Shqipëri, Zvicra jep 6.6 mln euro

19 Mars 2015 – Qeveria e Zvicrës do të falë 6.6 milionë euro për të mbështetur krijimin e tregut të gazit në Shqipëri. Drejtoresha e Çështjeve Ekonomike në Sekretariatin Zviceran, Beatrice Master tha se qëllimi i ndihmës është që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga ndërtimi i gazsjellësit TAP.

“Interesi i Zvicrës është bashkëpunimi ekonomik që ne kemi me Shqipërinë. Ne duam të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit tuaj. Energjia është një aspekt shumë i rëndësishëm në rritjen ekonomike, por përveç kësaj ne e mbështesim gjithashtu Shqipërinë edhe në shumë fusha të tjera si menaxhimi i financave publike, arsimi, projektet e ujit, etj. Pra, ka shumë aktivitete që ne financojmë”, deklaroi zonja Master.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ai i Energjisë, Damian Gjinkuri. Gazsjellësi TAP është një projekt shumëkombësh me destinacion përfundimtar tregjet europiane.

Granti zviceran do të mbështesë institucionet shqiptare në ndërtimin e një kuadri ligjor dhe rregullator për gazin që i përshtatet modelit të BE-së. Po kështu, përmes kësaj ndihme synohet rritja e sigurisë energjitike në vend dhe një ambient më i mirë për investime.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A