Tatimet: Sistemi i ri, pagim online i taksave

12 Janar 2015 – Tatimet kanë ngritur një sistem të ri informatik, i cili i mundëson bizneseve që çdo veprim tatimor ta kryejnë nga zyrat e tyre përmes llogarisë vetjake elektronike.

Me një vlerë prej 10 milionë euro, sistemi është investimi më i madh i kryer në administratën tatimore dhe i lehtëson bizneseve shumë proçedura e kosto administrative.

“Tatimpaguesit në çdo moment marrin informacion online mbi veprimet që kryhen nga administrata tatimore në llogaritë e tyre. Ata mund të verifikojnë çdo dokument administrativ që prodhohen nga administrata në llogaritë e tyre dhe të njoftohen në rrugë elektronike nga administrata për çdo ndryshim rregulloreje që bëhet e që hyn në fuqi”, sqaron Erjon Prifti nga Drejtoria e Tatimeve.

Përmes sistemit, ndërmarrjet deklarojnë elektronikisht bilancet, pasqyrat financiare apo ndryshimin e punonjësve vetëm te Tatimet, pa qenë të detyruara ta bëjnë këtë edhe në institucionet e tjera si QKR apo zyrat e punës. Në të njëtën kohë, sistemi informatizon taksa të reja.

“Mund të përmend taksat rento-minerale, tatimi mbi burimin, taksat nacionale, apo tarifat kombëtare. Janë 4 taksa të reja që janë informatizuar. Tatimpaguesi mund të korrigjojë deklaratën e vetë, të llogarisë një detyrim të papaguar, etj”, deklaron Prifti.

Por veç deklarimeve online sistemi i ri informatik i lehtëson ndërmarrjet edhe në pagesën e taksave. “Tashmë biznesi bën pagesën në bankë dhe nuk ka nevojë të pyesë nëse është e konfirmuar, pasi ai mund të shohë çdo gjë përmes dosjes së tij elektronike”, shton më tej Prifti.

Sistemi, i ngritur me ndihmën e FMN, bën të mundur që kontakti i vetëm mes biznesit dhe Tatimeve të jetë ai elektronik. Ndërkaq, një strukturë e posaçme në Drejtorinë e Tatimeve i jep zgjidhje brenda 48 orëve çdo paqartësie apo problemi teknik që mund t’u lindin bizneseve.

“Këto ankesa adresohen në zyrën tonë, shqyrtohen rast pas rasti dhe jepet një zgjidhje teknike dhe rekomandim për tatimpaguesin, në mënyrë që ai të përmbushë detyrimet e tij tatimore”, saktëson më tej punonjësi i Tatimeve, Gerti Gjoka.

Sistemi i ri mundëson rimbursimin elektronik të tvsh-së në të gjithë hallkat nga kërkesa e biznesit deri në pagesën automatike. Po kështu shumë shpejt përmes tij ndërmarrjet mund të shkarkojnë nga zyra cdo vërtetim tatimor për të cilin mund të kenë nevojë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A