Strategjia e investimeve 2014-2020

Ministria e Zhvillimit Ekonomik bëri publike draft-strategjinë për nxitjen e biznesit dhe investimeve, për periudhën 2014-2020. Në një takim me përfaqësues të biznesit, akademikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, ministri Arben Ahmetaj tha se qëllimi kryesor i strategjisë është thithja e investimeve të huaja. “Kjo strategji, me masat dhe aktivitetet e saj, do të kontribuojë në bërjen e Shqipërisë një destinacion tërheqës për investimet e huaja. Qëllimi i strategjisë është që të krijojë një ekonomi sociale për shekullin e 21, që të jetë konkuruese, inovative, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha ministri Ahmetaj. Dokumenti synon të rrisë eksportet shqiptare, duke i konsideruar si element kyç për ekonominë. “Sfida e adresuar në këtë strategji qëndron në investimin në ato sektorë, që do ta transformojnë gradualisht strukturën ekonomike shqiptare dhe kalimin afatgjatë nga një ekonomi e përqendruar për prodhim për konsum thjesht të brendshëm, në prodhim për eksport, në transformimin e filozofisë së prodhimit nga produkte me vlerë të shtuar të ulët në produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilat mund të konkurojnë në tregjet rajonale dhe globale”, shtoi më tej Ahmetaj. Strategjia parashikon evidentimin dhe zbatimin e politikave kombëtare për zhvillimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve. Ajo është hartuar duke u bazuar në dokumentet ryesore të Bashkimit Evropian.

Gjirofarm SH.A