Skema lehtësuese e debitorëve, OSHEE: U rritën arkëtimet

9 Prill 2015 – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë publike rezultatet e përmbylljes së skemës lehtësuese për konsumatorët familjarë, përmes pagesës së borxheve të energjisë me këste, apo pagesës së principalit për të përfituar falje në masën 80% të kamatëvonesave.

“Sa i përket treguesit të arkëtimeve, për katërmujorin nga Dhjetori deri më 31 Mars, kur filloi të aplikohej skema lehtësuese nga ana e kompanisë, të ardhurat janë rritur me afro 27 miliardë lekë. Për tremujorin e parë, Janar-Mars 2015, kemi arkëtuar mbi 19 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 50% të arkëtimeve të vitit 2013”, u shpreh administratori i OSHEE-së, Adrian Çela. Ai theksoi se vlera nën aktmarrëveshjet e lidhura është 50.4 miliardë lekë, ndërsa janë paguar deri tani 6.5 miliardë lekë.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri një bilanc të aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet për të formalizuar këtë sektor.

“Janë mbi 1000 personat e arrestuar dhe të proceduar penalisht. Janë mbi 50 punonjësit e OSHEE-së të proceduar penalisht. Janë po kaq punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa diçka më shumë janë punonjësit e Administratës Publike, që deri dje shfrytëzonin pozitën e paprekshmërisë, të pandëshkueshmërisë, për të vjedhur edhe energjinë elektrike”, theksoi ministri Saimir Tahiri.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A