Shqipëria merr kryesimin e Komunitetit të Energjisë

24 Shtator 2014 – Në Ukrainë zhvilloi punimet sesioni i 12-të i Këshillit Ministerial të vendeve anëtare të Komunitetit të Energjisë, Presidencën e të cilit e merr Shqipëria.

Ministri Damian Gjiknuri paraqiti para të pranishmëve prioritetet e Presidencës Shqiptare dhe objektivat kryesorë, të cilat sipas tij do të jenë reforma e Komunitetit të Energjisë dhe vënia në zbatim e rekomandimeve të propozuara me synim krijimin e një bashkimi energjitik.

“Sot, më shumë se kurrë, palët kontraktuese duhet të kuptojnë rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të plotë të kuadrit ligjor të Komunitetit të Energjisë, me qëllim reformimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një zone të përbashkët rregullatore me Bashkimin Evropian”, u shpreh Gjiknuri në fjalën e tij.

Në raportin përfundimtar për zbatimin e reformave në vendet anëtare, që u miratua nga të gjithë anëtarët e Komunitetit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, u vlerësua zgjidhja e konfliktit për çështjen e investimeve me CEZ, si një gur themeli për kryerjen e reformave aq të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri.

Me kërkesë të ministrit Gjiknuri u shtua si prioritet për Komunitetin e Energjisë për vitin e ardhshëm Korridori i Gazit, duke përfshirë projektin e gazsjellësit TAP, si lider të këtij korridori.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A