Shqipëria hyn në programin COSME, financon ndërmarrjet e vogla

4 Mars 2015 – Shqipëria i bashkohet programit COSME të Bashkimit Europian për financimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe është vendi i pestë nënshkrues jo anëtar i BE-së, pas Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Turqisë.

Marrëveshja e firmosur në Bruksel nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, dhe komisionerja Elżbieta Bieńkowska, synon të forcojë mbështetjen dhe konkurrencën për  këto sipërmarrje në union. Programi zgjat deri në vitin 2020 dhe sfidon administratën e vendit kandidat për të përgatitur sipërmarrësit shqiptarë që të jenë të aftë për të aplikuar.

Ministri Ahmetaj theksoi se “Megjithëse shifra është globale, 2.3 miliardë euro për të gjitha vendet, Shqipëria ka pjesën e vet në proporcion. Është sfidë e drejtpërdrejtë për ne që të arrijmë të thithim sa më shumë fonde në ndihmë të sipërmarrjes shqiptare dhe të përgatisim gjithë sipërmarrjen shqiptare që të aplikojë suksesshëm për fondet nga ky program.”

Mes Brukselit dhe Tiranës pritet të nisin tryezat e shpeshta të karakterit teknik dhe marrëveshja parashikon hyrjen në fuqi pas ratifikimit nga Parlamenti.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A