Shqipëri-Kosovë, njësohen standardet e drithrave dhe miellit

16 Janar 2015 – Shqipëria dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen e përbashkët për njehësimin e standarteve të drithrave dhe miellit dhe tregtimit të tij mes dy vendeve. Marrëveshja është bërë publike gjatë takimit në Kosovë të Ministrit të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti me homologun e tij Memli Krasniqi.

“Ne kemi tashmë një paketë integrale të përbashkët, e cila pasi mori edhe miratimin paraprak nga prodhuesit e të dyja vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë si një paketë e njehsuar tashmë e standardeve të cilësisë dhe të sigurisë në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Kështu që në këtë mënyrë ne heqim përfundimisht të gjitha ato barriera të cilat në mënyrë të panevojshme u bënë pengesë vitin e kaluar në lëvizjen e lirë të drithërave dhe të miellrave”, tha Ministri Panariti.

Ministrat Panariti dhe Krasniqi theksuan se marrëveshja midis Shqipërisë dhe Kosovës synon lehtësimin e lëvizjes së prodhimeve bujqësore midis dy vendeve. Përvecc njësimit të standardeve të drithërave dhe miellit, do të përgatitet njësimi i standardeve edhe për produkte të tjera si qumështi, mjalti, vera, patatja etj.

Gjatë këtij takimi, të dy ministrat shprehën vullnetin dhe përkushtimin e palëkundur për forcimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjirofarm SH.A