Shqipëri-Kosovë, diskutim për zyrë të përbashkët doganore

4 Mars 2015 – Ministri i Financave Shkëlqim Cani priti në një takim homologun e tij kosovar, Abdullah Hoti, ku është diskutuar për thjeshtimin e mëtejshëm të procedurave doganore dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Dy ministrat kanë rënë dakord për ngritjen e një grupi pune me ekspertë të përbashkët, i cili do të ketë për qëllim identifikimin dhe propozimin e lehtësirave të tjera për bizneset e dy vendeve.

Ky grup do të përcaktojë procedurat për të realizuar heqjen e kontrollit të dyfishtë aktual në dogana dhe krijimin një zyre të vetme të përbashkët zhdoganimi mes dy vendeve.

Në takimin e zhvilluar, ministrat ranë dakord të harmonizojnë politikat e taksave në fushën e mallrave të ashtuquajtur “të fortë”, që paguajnë akcizë, të zgjidhin problemin e terminaleve që në Kosovë krijojnë një kosto shtesë për eksportuesit shqiptarë, të policave të sigurimit me vlerë të njëjtë në të dy shtetet, etj.

Homologët e financave ranë dakord për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, që merr në konsideratë zgjidhjen e problemeve të diskutuara dhe ofron plotësimin e kërkesës së të dy vendeve për një zyrë të përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A