Shoqata e Bankave: Korrik–Shtator, rriten me 1.2 % depozitat

6 Nëntor 2014 – Shoqata e Bankave (AAB) publikoi të dhënat financiare të bankave tregtare për tremujorin Korrik – Shtator të këtij viti, sipas të cilave rezulton se depozitat kanë pësuar një rritje me 1.2 % krahasuar me 3-mujorin Prill – Qershor. “Depozitat e bizneseve dhe institucioneve kanë pësuar rënie për të gjithë tremujorin të ndikuar veçanërisht nga reduktimi në muajin Shtator. Ndërsa depozitat e individëve kanë vijuar në rritje përgjatë gjithë tremujorit, me një rritje mesatare vjetore rreth 1.8%. Në kushtet e rënies së normave të interesit, individët po i zhvendosin kursimet e tyre drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta se sa depozitat tradicionale”, raporton AAB.

Sipas njoftimit zyrtar të kësaj shoqate, në tremujorin e tretë të këtij viti, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,272 miliardë lekë, rreth 3% më shumë se një vit më parë, ose 1.5% më i lartë se tremujori i kaluar. “Sistemi bankar vazhdon të mbetet i mirëkapitalizuar, i qëndrueshëm dhe likuid. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 17.6 % në muajin shtator” raporton AAB.

Më tej sqarohet se teprica e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat në tremujorin e tretë 2014 paraqitet me rritje prej 10.5 miliardë lekë ose rreth 1.9%, duke shënuar dhe rritjen më të madhe për vitin 2014. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori ka qenë më e lartë se një vit më parë për të njëjtën periudhë me 17.3%, dhe në nivele të ngjashme krahasuar më tremujorët e tjerë të vitit. Një zhvillim i mirëpritur është kreditimi në rritje në monedhën vendase që thellon më tej ndërmjetësimin bankar në lekë dhe ul ekspozimin e klientëve të bankave ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Tremujori i tretë ka dhënë sinjale pozitive për zhvillimet në kredi në drejtim të lehtësimit të standardeve të kreditimit si për bizneset ashtu edhe për individët (edhe sipas vrojtimit të kredisë nga BSH). Po kështu, kërkesa për kredi duket se po ringjallët mbasi ka shënuar nivelin e saj më të ulët në tremujorët e mëparshëm të vitit. Sinjalet pozitive janë të dukshme në kredinë për biznese ndërsa kërkesa për kredi dhe portofoli i kredisë dhënë individëve mbetet anemike, në nivele të njëjta të sikurse një vit më parë, pavarësisht ofertave tërheqëse që bankat kanë hedhur në treg.

Paralelisht me këto zhvillime cilësia e portofolit të kredisë është përkeqësuar krahasuar me një tremujor më parë, duke shënuar një nivel prej 25% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit shtator. Gjithsesi, norma e rritjes së kredive me probleme është më ulët se më parë, çka është reflektuar edhe në uljen e kostove të provigjionimit dhe rritjen e përfitueshmërisë së bankave.

(Shoqata Shqiptare e Bankave)

Gjirofarm SH.A