Shlyerja e borxheve biznesit

Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të miratojë në fund të këtij muaji marrëveshjen e kredisë me Qeverinë shqiptare duke i hapur rrugë nisjes së procesit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. 

Burime zyrtare nga FMN por edhe ministria e financave konfirmuan se në mbledhjen e programuar në fund të muajit, bordi i drejtorëve të FMN-së pritet të shqyrtojë dhe miratojë paketën e kredisë prej 300 milionë dollarësh për Shqipërinë, nga të cilat 100 milionë do të lëvrohen këtë vit.

Qeveria shpreson që kredia të jetë e disponueshme që në muajin mars për të filluar me pagesën e faturave të prapambetura. Parimi i shlyerjes do të jetë ai i kohës, sipas të cilit faturat më të vjetra do të likujdohen më parë. Ministria e Financave është sakaq duke përgatitur edhe kalendarin e detyrimeve sipas kohës në të cilën janë krijuar.

Burime nga Ministria e Financave thonë se shlyerja e faturave të para pritet të fillojë gjatë muajit mars. Gjatë muajve të fundit, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë zhvilluar një sërë takimesh me grupet e interesuara në këtë proces, si bizneset por edhe bankat.

Këto të fundit madje kanë propozuar që për rastin e bizneseve që kanë kredi të pashlyera, qeveria t’i bëjë pagesat direkt për llogari të bankës. Por burime nga Ministria e Financave thonë se ky opsion nuk mund të realizohet, edhe për arsye ligjore, pasi kjo do kërkonte ndryshimin e kontratave të cilat janë lidhur mes thesarit dhe bizneseve dhe jo bankave.  Në total Qeveria ka programuar të shlyejë 350 milionë dollarë fatura të papaguara përgjatë këtij viti. Paralelisht me kredinë e FMN ajo do të marrë edhe një hua tjetër nga Banka Botërore. Por për shkak të procedurave më të ngadalta, kredia e Bankës nuk pritet të miratohet përpara muajit qershor.

Gjirofarm SH.A