Shiten 10 makina në ditë. Në 4 muaj shpenzohen 83 milionë euro

16.05.2017 Blerja e një autoveture nënkupton kryerjen e një pagese të lartë të njëhershme, ose të shtrirë në kohë për disa vite.

Ndaj, sipas ekonomistëve, kur njerëzit fillojnë të shpenzojnë për automjete ata presin një të ardhme më të mirë për ekonominë.

Importi i autoveturave është një nga indikatorët kryesorë që Banka e Shqipërisë përdor për të vlerësuar ecurinë e konsumit në ekonomi.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka vëren se rritja e importit të automjeteve në muajt e parë të këtij viti, së bashku me ecurinë e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar sugjeron se konsumi privat ka vazhduar të zgjerohet edhe në 2017-n.

Sipas të dhënave nga Doganat, importet e automjeteve në Shqipëri u rritën me 25 për qind në katër muajt e parë të këtij viti. Në shifra absolute nga janari e deri në prill konçesionaret kanë shitur 1000 makina me zero kilometra, ose rreth 10 makina në ditë.

Në total për periudhën janar-prill shqiptarët shpenzuan 11.1 miliardë lekë, ose rreth 83 milionë euro për të blerë makina nga 66 milionë euro që ishte shifra për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas shifrave, pjesë dërrmuese e makinave që importohen në Shqipëri, rreth 76 për qind e tyre, janë të përdorura.

Por edhe numri i autoveturave të reja ka ardhur në rritje. Importi i automjeteve regjistroi stanjacion, veçanërisht gjatë periudhës 2013-2015, kur ekonomia u përball me ndrydhjen e konsumit.

Por nga viti i kaluar, shqiptarët duket se kanë filluar të shpenzojnë sërish për të blerë autovetura. Një shenjë kjo që psikologjikisht tregon se ata kanë rritur besimin tek ekonomia.

/ Top Channel

Gjirofarm SH.A