Sejko: Ulen për herë të parë kreditë me probleme

30 Tetor 2015 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë thotë se kreditë me probleme u ulën për herë të parë pas një periudhe 7-vjeçare rritjeje të vazhdueshme, por, për të adresuar këtë problem në mënyrë të përhershme, siç shprehet ai, nevojitet implementimi i masave të tjera shtesë.

“Procesi i pastrimit të kredive të humbura pa shpresë arkëtimi ishte finalizim i një pune të përbashkët ndërinstitucionale. Gjatë këtij procesi, ne kemi pasur mundësinë të asistohemi dhe mbikqyremi dhe nga institucionet e rëndësishme ekonomike ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Përveç objektivit për të krijuar një fleksibilitet më të lartë në lidhje me disa aspekte të veprimtarisë në trajtimin e portofolit të kredisë, do të synojmë të adoptojmë një koncept të ri: atë të “biografisë” së klientit në raport me kredinë bankare. Ne besojmë se ky element i ri do të lehtësojë bankat në vlerësimin e potencialit kredimarrës të çdo klienti”, u shpreh guvernatori Gent Sejko.

Kreditë e këqija, sipas Bankës së Shqipërisë, nga niveli rekord 25%, arritën në 20% në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Për kryeministrin Edi Rama, ulja e nivelit të kredive të këqija kërkon forcim strukturor të vetë bizneseve në Shqipëri dhe mënyrës së të bërit biznes.

“Bizneset e prodhimit vendas, faktikisht kriza i nxori plotësisht në dritë me të gjithë dobësinë e tyre si struktura të paformalizuara që nuk garantonin asnjë siguri për një vazhdim normal dhe ambicioz të akreditimit të sektorit bankar. Bankat janë të gatshme me likuiditet, por biznesi vendas nuk është i gatshëm për të qenë në lartësinë e sfidës së të qenit i mirëstrukturuar dhe për t’i motivuar me projekte të besueshme kërkesat e veta për kreditim”, tha Rama.

Shqipëria iu përgjigj problematikës që solli kriza financiare, rënie e remitancave dhe e sektorit të ndërtimit, me orientimin e ekonomisë tek prodhimi vendas dhe eksportet, thotë kryeministri.

Sipas tij, dy sektorët më tërheqës mbeten bujqësia dhe ai i energjisë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A