Samiti i Vjenës, 3 projektet e Shqipërisë për ekonominë

28 Gusht 2015 – Samiti i Vjenës zhvilloi sot punimet me ministrat e Ekonomisë së vendeve të rajonit dhe u fokusua tek prosperiteti ekonomik dhe konektiviteti në transport e energji, si dhe tek trajnimi profesional.

Në këtë takim ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj foli për rezultatin e nismës së Ballkanit Perëndimor përgjatë këtij viti. “Ne sot mund të bëjmë një inventar të asaj që kemi arritur si rajon që nga Konferenca e Berlinit. Së pari secili nga vendet e ka kuptuar që mënyra e duhur për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomive tona është përmes një qasje strategjike rajonale. Kemi shënuar një bashkëpunim konkret në termat e konektivitetit. Sot kemi projekte të dakordësuara me njeri-tjetrin, projekte nga të cilat përfitojnë të gjithë vendet e rajonit siç është projekti i Autostradës Adriatiko-Joniane (Autostrada e Kaltër), i gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP) apo projekti i rrugës Nish-Prishtinë-Durrës. Autostrada e Kaltër tashmë bën pjesë në rrjetin kryesor të infrastruktures ndërlidhëse në BE. Tani është momenti të mendojmë për atë që do të duhet të bëjmë në vazhdim. Një vit më parë kishim deshirën e mirë për të bashkepunuar, sot kemi një plan konkret biznesi, të cilin do të duhet ta realizojmë”, tha Ministri.

Ahmetaj e vuri theksin tek studimet e fizibilitetit të projekteve te konektivitetit. “Ne duhet të mblidhemi vitin tjetër dhe të flasim për kostot dhe benefitet e projekteve konkrete. Për këtë do të duhet të kemi studimet e fizibilitetit për këto projekte”.

‎Sa i përket avancimit të nismës së Ballkanit Perëndimor, Ministri Ahmetaj shtroi katër propozime kryesore të qeverisë shqiptare.

Ministri propozoi që çdo projekt të ketë një koordinator rajonal të niveli të lartë‎, të ashtuquajtur “komisarë të konektivitetit”, njerëz me profil të lartë, me background ekonomik dhe politik, që do të ndjekin çdo hap të realizimit të Projekteve në koordinim me vendet e rajonit dhe BE.

Çështja e dytë ishte ideja e Kryeministrit Rama për integrimin ekonomik rajonal dhe Bankën Rajonale të Zhvillimit. “Kryeministri Rama ka hedhur idenë e ngritjes së unionit ekonomik rajonal, pra të integrimit ekonomik rajonal si një fazë parapërgatitore për integrimin në BE, si dhe të Bankës Rajonale të Zhvillimit, ide të mbështetura nga kancelarja Merkel dhe nga institucionet e tjera të BE-së.” – tha Ministri Ahmetaj. “Ne iniciuam një mekanizëm të ngjashëm me Kosovën, për heqjen e barrierave jo-tarifore në shkëmbimet tregtare, standardizimin e procedurave dhe reduktimin e burokracive. Qëllimi ështe ta zgjerojmë këtë projekt edhe me Serbinë, Malin e Zi dhe të gjithë vendet e rajonit”.

Lidhur me financimin e fizibilitetit, duke iu referuar kufizimeve buxhetore të vendeve të rajonit, Ministri tha se do të jetë e pamundur që studimet e fizibilitetit të realizohen nga vetë shtetet e Ballkanit. Për këtë do të duhet ndihma e BE dhe do duhet të mendohen mekanizma inovative financimi.

Çështja e fundit ishte ajo e trajnimit profesional. “Edukimi profesional është infratstruktura e vërtetë. Ne kemi avantazhe të kostos së ulët të forcës së punës, por kemi mangësi kur vjen fjala tek kualifikimi. Modeli dhe praktika austriake dhe gjermane mund të jenë shembuj shumë të mirë për tu aplikuar nga ne, me një qasje rajonale”, tha Ministri.

Tryeza e rrumbullakët e Ministrave të Ekonomisë u drejtua‎ nga zv. Kancelari dhe Ministri Federal për Ekonominë i Austrisë, z. Mitterlehner, me prezencën e Zv. Presidentit të Komisionit Europian Sefcovic, zv. Presidenti i Bankës Europiane të Investimeve dhe gjashtë Ministrat e Ekonomisë së Ballkanit Perëndimor.

Gjirofarm SH.A