“Rruga e Kombit”, në vitin 2015 kalimi me pagesë

22 Nëntor 2014 – Kalimi në rrugën Durrës-Kukës do të bëhet me pagesë. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto tha se vitin e ardhshëm mirëmbajtja e këtij aksi do kalojë tek privati.

“Do të tenderohet brenda këtij viti dhe vitin tjetër do të kemi dhe efekte të tij, nëpërmjet angazhimit të sektorit privat, në mbulimin e pjesës së investimeve shumë të rëndësishme,që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e rrugëve”, tha Haxhinasto.

Vitet e fundit Shqipëria ka shpenzuar miliarda dollarë për të ndërtuar rrugë të reja. Qeveria thotë kostoja e mirëmbajtjes së tyre, është e lartë dhe nuk mund të përballohet nga buxheti.

“Për vitin 2015, fondi në dispozicion të mirëmbajtjes së rrugëve ka shkuar në tërësinë e tij, rreth 4 miliardë. Akoma jemi në nivelin rreth 30 për qind të mbulimit të nevojave që ka mirëmbajtja e sistemit të rrugëve tona”, tha Haxhinasto.

Në total buxheti i Ministrisë së Punëve Publike për 2015-ën do të jetë 43 miliardë lekë, që do shpenzohen kryesisht në ndërtim rrugësh dhe ujësjellësash.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A