Rritja e çmimit të siguracionit

Shqetësimet e ngritura nga qytetarët ditët e fundit, për rritjen e paparalajmëruar të tarifave të siguracioneve të makinave, duket se kanë detyruar Kryeministrin Edi Rama të thërrasë në një takim pune, përfaqësuesit e Shoqatës së Agjencive të Sigurimeve.

Siç njofton Zyra e Shtypit në Këshillin e Ministrave, Kryeministri Rama gjatë takimit theksoi se kjo fushë përbën një potencial të madh zhvillimi për Shqipërinë dhe për pasojë nevojitet një strategji e plotë zhvillimi për të ardhmen.

“Ka ardhur koha,- citohet të ketë deklaruar Kryeministri,- për t’u larguar një herë e mirë nga arnimet e vazhdueshme që janë bërë në këtë sektor”.

Mësohet se Kryeministri i ka kërkuar Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, të organizojë seanca të posaçme konsultimi me Shoqatën e Agjencive të Sigurimeve, në mënyrë që brenda afatit kohor të një muaji të përgatitet një plan strategjik për këtë sektor.

Rama ia ka bërë të qartë përfaqësuesve të kompanive të sigurimit qëndrimin e Qeverisë se “interesi i publikut do të jetë në qendër të strategjisë së re që do të hartohet”.

Njoftimi për median nuk përmban të dhëna se çfarë kanë kërkuar përfaqësuesit e Shoqatës së Kompanive të Sigurimit. Avni Ponari, kryetar i Shoqatës së Agjencive të Sigurimeve u shpreh se i është parashtuar Kryeministrit propozimi i ndërtimit të një plani strategjik për zhvillimin e tregut, mbrojtjen e interesave financiare të konsumatore me ndërtimin e një legjislacioni bashkëkohor si dhe dhënien e rolit që i takon industrisë së sigurimeve. Sipas zotit Ponari kjo do të shërbejë për të rritur kulturën qytetare dhe përgjegjësitë qytetare për sigurimet.

Gjirofarm SH.A