Rritja e çmimit të energjisë, ERE shqyrton kërkesën e OSHEE

18 Nëntor 2014 – Enti Rregullator i Energjisë është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike. OSHEE do t’i prezantojë ERE-s raportin për gjendjen e kompanisë.

KESH, OST edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë kanë dorëzuar pranë Entit Rregullator kërkesën për rritje të çmimit vitin e ardhshëm. OSHEE kërkon rritje të tarifës së shpërndarjes së energjisë me rreth 70%. Pra, nga 7 lekë për kilovat/orë që është aktualisht tarifa mesatare e shpërndarjes, operatori kërkon që të rritet në 12 lekë për kilovat/orë. Më herët edhe Koorporata Elektroenergjetike shqiptare aplikoi për rritje të çmimit me të cilin ia shet energjinë OSHEE-së me 50%.

Çmimi mesatar i KESH-it aktualisht është 2.2 lekë për kilovat/orë dhe Koorporata kërkon të rritet në 3.34 lekë, duke e argumentuar këtë me gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet për shkak të blerjes së energjisë me çmim të lartë nga HEC-et private, por edhe nga importet që ka bërë për të mbuluar humbjet e ish- kompanisë CEZ. Në të njëjtën linjë, për rritje çmimi është edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Kompania ka kërkuar pranë Entit Rregullator rritjen e tarifës së transmetimit me 10%, pra nga 0.65 lekë për kilovat/orë që është aktualisht në 0.73 lekë.

Në total, të tre kompanitë energjetike kanë kërkuar që çmimi mesatar i energjisë për qytetarët të rritet nga 10 lekë për kilovat/orë që është aktualisht, në rreth 16 lekë për kilovat/orë. Bordi i Komisionerëve të ERE-s do të shqyrtojë të tre kërkesat e bëra nga operatorët dhe pritet të marrë një vendim brenda dhjetorit. Ajo që është e sigurt deri më tani është heqja e fashës mbrojtëse prej 300 kilovat/orë e deklaruar zyrtarisht nga qeveria, ndërsa ende pritet vendimi i ERE-s për çmimin e ri të energjisë që do të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A