Bizneset në borxh, 16 073 debitorë ndaj shtetit

9 Qershor 2015 – Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i bizneseve në vështirësi për të paguar taksat po rritet me ritme të shpejta.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vitin e kaluar numri i ndërmarrjeve që iu shtuan listës së borxhlinjve shënoi një rekord të ri historik, duke arritur në 6541.

Krahasuar me një vit më parë, shifra është rritur me gati 3.5 herë. Por tendenca ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Sipas Tatimeve, vetëm për 5 muajt e parë të vitit, listës së bizneseve në borxh iu shtuan dhe gati 3 mijë ndërmarrje të tjera.

Këto janë biznese ndaj të cilave administrata ka kryer të gjitha hapat ligjorë për mbledhjen e detyrimeve, që nga njoftimi i vlerësimit tatimor deri tek bllokimi i llogarive bankare.

Meqënëse edhe pas këtyre procedurave detyrimi nuk është paguar, atëherë ndërmarrjet janë vendosur në listën e borxhlinjve dhe ndaj pasurive të tyre është vendosur barra siguruese.

Ekspertët thonë se praktikisht këto janë biznese në rrugën e falimentit, pasi faza tjetër pas vendosjes së barrës siguruese është sekuestrimi i aseteve të shoqërisë, por edhe atyre të aksionerëve.

Numri i bizneseve në borxh, që nuk shlyejnë detyrimet filloi të rritej veçanërisht pas vitit 2012, kohë kur ekonomia ngadalësoi fort ritmet.

Por, në dy vitet e fundit fenomeni është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme dhe, sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në listën e debitorëve ndaj shtetit figurojnë 16 mijë e 73 biznese, një rekord historik i pashënuar më parë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A