Rritet në Gusht sasia e parasë jashtë sistemit bankar

24 Tetor 2014 – Paraja jashtë bankave ka vazhduar rritjen e shpejtë edhe në muajin Gusht, gjë e cila ndodh për të katërtin muaj radhazi gjatë këtij viti. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë depozitat me afat në lekë po tkurren ndjeshëm, duke shënuar rënien më të madhe mujore të këtij viti. Në fund të muajit Gusht, paraja jashtë bankave arriti në në 205.8 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh, apo rreth 2% më shumë në raport me muajin e mëparshëm. Në krahasim me muajin Mars 2014, kur filloi kjo tendencë rritëse, kanë dalë jashtë bankave rreth 12 miliardë lekë, apo rreth 87 milionë euro.

Tendencë tërësisht të kundërt kanë paraqitur depozitat me afat në lekë, të cilat kanë rënë ndjeshëm përgjatë këtij viti. Gjatë muajit Gusht ato arritën në 376 miliardë lekë, me një tkurrje prej 6.8 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Ndërsa në raport me muajin mars 2014 ato janë tkurrur me 14 miliardë lekë, apo rreth 100 milionë euro.

Gushti është një muaj, ku sezonalisht konstatohet një rritje e depozitave në sistemin bankar, si rrjedhojë e kthimit të emigrantëve në atdhe. Gjithësesi, shtesa e depozitave në banka gjatë muajit Gusht 2014 ishte vetëm 4.5 miliardë lekë, shumë më pak se shtesa prej 13 miliardë lekë, që u konstatua të njëjtin muaj të vitit 2013 dhe 17 miliardë lekë në Gusht 2012.

(Shqiptarja.com)

Gjirofarm SH.A