Rritet çmimi i naftës, nuk reflektohet ulja në tregjet ndërkombëtare

5 Gusht 2015 – Ndonëse në 3 muajt e fundit, çmimi i naftës ka rënë në bursë me gati 30 për qind, duke prekur sërish nivelet më të ulëta historike, në tregun vendas ai mbetet në nivelet më të larta të të gjitha kohërave.

Sipas BBC-së, nga gati 70 dollarë për fuçi që shënonte në qershor, ditët e fundit në bursën e Londrës nafta është kuotuar me rreth 50 dollarë për fuçi, duke zbritur sërish në nivelet më të ulëta.

Por, në të njëjtën kohë, çmimi i naftës në tregun vendas është rritur dhe aktualisht kutohet me rreth 187 lekë për litër, në pikat me pakicë, një nivel afër rekordeve historike.

Ulja e fundit e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mosreflektimi i saj në vend, e kanë çuar Shqipërinë zyrtarisht në vendin e 15 në botë për nga çmimi më i lartë i naftës. Sipas “Global Petroleum Prices”, aktualisht në Shqipëri nafta kuotohet me 1.28 euro për litër, ose 10 cent më shumë se në Gjermani, Francë apo në Belgjikë.

Në fillim të qershorit, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 1.23 euro për litër, ndërsa në Gjermani ishte 1.25 euro për litër. Që nga ajo kohë, çmimi në Gjermani është ulur me 7 cent të euros për litër, ndërsa në Shqipëri është rritur me 5 cent të euros.

Shqipëria ka një sistem të rëndë taksimi te karburantet, ku përmes taksës së Qarkullimit thuajse ka dyfishuar akcizën. Paralelisht tregu është i ngurtë dhe nuk reflekton uljet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Një situatë kjo, që e ka ngjitur Shqipërinë në majën e vendeve me çmimin më të lartë të karburanteve.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A