Rritet borxhi i jashtëm, 6.6 mld euro i detyrohemi botës

16 Dhjetor 2014 – Borxhi i jashtëm i ekonomisë u rrit me 588 milionë euro në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gati gjysma e rritjes ka ardhur nga borxhi i marrë nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër është borxh i bankave, por edhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Aktualisht borxhi që Shqipëria i detyrohet botës është 6.6 miliardë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë nga këto 2.6 miliardë euro janë borxhi i qeverisë, në formën e huave nga donatorët, por edhe kredive tregtare, ndërsa pjesa tjëtër është marrë nga kompanitë private, por edhe bankat kryesisht në formën e depozitave nga shtetasit e huaj dhe linjave të kredisë nga mëmat.

Edhe pse Shqipëria, ka një nivel të ulët borxhi nga jashtë krahasuar me vendet e tjera, të dhënat tregojnë se ky tregues po rritet me ritme të shpejta.

Sipas Bankës së Shqipërisë krahasuar me fundin e vitit 2007, borxhi i jashtëm është trefishuar në vlerë nga 2.2 në 6.6 miliardë euro dhe është aktualisht sa 66 përqind e Prodhimit Kombëtar.

Vitet e fundit huamarrja nga jashtë ka qenë në jo pak raste një zgjidhje e detyruar për të ruajtur ekuilibrat e ekonomisë, në pamundësi për të siguruar valutë të mjaftueshme nga eksportet dhe investimet e huaja.

Defiçiti korrent i vendit, ndryshe diferenca në vlerë mes valutës që Shqipëria shpenzon për mallra dhe shërbime nga jashtë me atë që siguron duke i shitur botës është mbi 10 përqind e Prodhimit Kombëtar.

Ndonëse pjesa kryesore e këtij hendeku është financuar përmes investimeve të huaja, defiçiti i lartë në llogarinë korrente është një nga shkaqet e rritjes së shpejtë të borxhit dhe në thelb reflekton konkurrueshmërinë e ulët të ekonomisë shqiptare.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A