Rriten kreditë e këqija. Në shkurt, 18.9 për qind

12 Prill 2016 – Kreditë e këqija u rritën për të dytin muaj më radhë, gjatë shkurtit, duke përmbysur ecurinë pozitive që nisi vitin e kaluar. Të dhënat e fundit zyrtare nga shoqata e bankave tregojnë se, në fund të Shkurtit, kreditë me probleme arritën në 18.9 për qind të totalit, nga 18.4 për qind që ishin në janar dhe 18.2 për qind në Dhjetorin e 2015-s.

Të dhënat e detajuara tregojnë se në vlerë, krahasuar me fundin e dhjetorit, kredia me probleme është rritur me mbi 4 miliardë lekë, kur e gjithë kredia që bankat kanë dhënë për ekonominë përgjatë së njëjtës periudhë është ulur me 200 milionë lekë.

Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë miratuar një plan të përbashkët kombëtar, që synon uljen e kredive të këqija, si një nga ngërçet më të mëdha që frenon rimëkëmbjen e ekonomisë.

Mes të tjerash, plani parashikon edhe një sërë ndryshimesh ligjore, të cilat vitin e kaluar i detyruan bankat të nxirrnin rreth 18 miliardë lekë kredi të këqija jashtë bilanceve të tyre. Kjo masë, si dhe ristrukturimi i disa portofoleve problematike, bëri që huatë e këqija të ulen nga 25 për qind që ishin në mesin e vitit 2014, në 18.2 për qind në fund të vitit të kaluar.

Por, tendenca është përmbysur në muajt e parë të këtij viti dhe kredia e keqe ka nisur të rritet sërish, madje edhe më shpejt sesa vet totali i kredisë, duke frenuar kështu optimizmin për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A