Restaurimi i “Pazarit të Krujës”, vlera e projektit 800 mijë USD

15 Tetor 2014 – Projekti për “Rigjallërimin e Zonës Turistike “Pazari i Krujës” do të ketë një kosto prej  800.000 dollarë. Ky është njoftimi zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit i cili ka shtuar se projekti i këtij institucioni është mbështetur edhe nga Fondi Shqiptaro – Amerikan i Zhvillimit.

Projekti konsiston në ndërhyrjen për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese me qëllim ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe promovimin e kësaj zone turistike.

Projekti përfshin ndërhyrjet infrastrukturore dhe ato konservuese/restauruese në fasada dhe çati në zonën e Pazarit të Vjetër të qytetit. Ndërhyrjet infrastrukturore do të jenë të përqendruara në zonën pedonale të pazarit ku do të kryhen përmirësime të rrugës me kalldrëm. Më konkretisht do të realizohet: Shtrirja e rrjetit dhe e instalimeve elektrike në këtë zonë për ndriçimin e unifikuar të të pazarit; Vendosja e sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit që do të aplikohet me vendosjen e hidrantëve përgjatë pazarit; Përmirësimi i kanalizimeve të kullimit të ujërave të bardha.

Zbatimi i ndërhyrjeve infrastrukturore do të realizohet me ndërhyrje minimale në kalldrëmin e rrugës. Plotësimi i tij do të bëhet me gurë zalli dhe teknikë të njëjtë me teknikën origjinale. Po ashtu parashikohen punime konservuese/restauruese në fasadat e dyqaneve dhe çatitë e tyre, në xokolet e fasadave, vetrata, qepena, taraba druri. Nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese, pjesore ose të plota, do të realizohet kthimi në gjendjen e mëparshme të fasadës për të ruajtur origjinalitetin e saj. Do të ndërhyhet edhe në fasadat me material druri nëpërmjet smerilimit, lyerjes me vaj lini dhe insekticid. Projekti parashikon edhe ndërhyrjet në çatitë e pazarit për të bërë unifikimin e tyre, nga materiali, forma dhe ngjyra  me qëllim që  të kthehet në gjendjen e mëparshme si nga vlera kulturore, ashtu edhe historike.

Sipas deklaratës të Ministrisë së Turizmit, përmes këtij projekti synohet rritja e numrit të turistëve, zhvillimi ekomomik, fuqizimin e bizneseve vendase, certifikimi i produkteve artizanale si dhe rivitalizimi i gjithë kësaj zone turistike.

Gjirofarm SH.A