Reforma, nxitje për ekonominë. BERZH: Garanci për investitorët

28 korrik 2016 – Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti deklaron se reforma në drejtësi do të përmirësojë imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj.

“Nëse sheh eksperiencat e mëparshme në Europën lindore, për vendet të cilat janë anëtarësuar në BE, një nga gjërat që nuk rregulluan siç duhej para anëtarësimit ishte drejtësia. Shqipëria po përpiqet ta bëjë para anëtarësimit dhe unë besoj se, kjo reformë do t’i japë asaj një avantazh të konsiderueshëm ekonomik, sepse ka të bëjë me garancitë për zbatimin ligjit, veçanërisht ligjeve tregtare, që janë shumë të rëndësishme për komunitetin e investitorëve. Ndaj, ky është një lajm i mirë për integrimin, por edhe në krijimin e një ambienti tërheqës për investitorët”, tha Suma Chakrabarti, president i BERZH-it.

BERZH: Rritja ekonomike, stabël. Krijoni një ekonomi konkurruese

Kreu i BERZH thotë se, pas disa viteve të vështira, ekonomia është duke u përmirësuar.

“Vendi ka zbatuar me përpikmëri marrëveshjen me FMN-në dhe rritja ekonomike po rikthehet. Ne në BERZH mendojmë se ekonomia do të rritet mes 3 dhe 3.5 për qind këtë vit, e ndoshta 4.2 për qind vitin tjetër. Pra rritja po rikthehet dhe ky është rezultat i menaxhimit të mirë makroekonomik”, tha Chakrabarti.

Por sipas tij, vendi ka një sfidë jo të vogël për të zgjidhur, e cila lidhet me krijimin e një ekonomie moderne.

“Shqipëria ka nevojë të ketë një ekonomi shumë më konkurruese për të përballuar konkurrencën, teksa lëviz përpara në procesin e integrimit. Dhe programi ynë për mbështetjen financiare të bujqësisë synon pikërisht këtë, të komercializojë bujqësinë shqiptare dhe ta bëjë atë më konkurruese”, tha kreu i BERZH-it.

BERZH është një nga donatorët më të mëdhenj në ekonominë shqiptare.

“Deri më tani ne kemi investuar mbi një miliard euro në Shqipëri, duke financuar 75 projekte të ndryshme. Kam kënaqësinë të njoftoj se këtë vit do të kemi një rekord historik, pasi do të investojmë 150-200 milionë euro”, deklaroi Chakrabarti.

( Top Channel )

Gjirofarm SH.A