INSTAT: Rriten me 4 për qind eksportet e mallrave

28 Prill 2015 – Instituti i Statistikave në Shqipëri ka publikuar të dhënat mbi eksportet e mallrave për muajin Mars. Sipas këtij institucioni, krahasuar me muajin Mars 2014, eksportet e mallrave u rritën me 4 për qind duke arritur në vlerën e 22 miliardë lekë. Ndërsa importet e mallrave në Mars 2015 arritën vlerën 44 mld lekë, duke u rritur me 3.9% në krahasim me Marsin e vitit 2014 dhe 13.5% në krahasim me Shkurtin 2015.

Në këtë mënyrë, është rritur edhe defiçiti tregtar i këtij muaji, që rezulton në masën 22 mld lekë, duke u rritur me 3.7% krahasuar me Marsin 2014 dhe 7.2% në krahasim me Shkurtin 2015.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63.9% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (35.1%), Kina (8.4%), Turqia (7.2%) dhe Greqia (6.7%).

Peshën më të madhe të eksporteve tona drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 68.6%, Greqia me 5.8% dhe Spanja me 5.3% të eksporteve gjithsej. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2014 janë: Britania, Austria dhe Gjermania.

Në mars 2015 importet nga vendet e BE-së janë rritur 6.3%, krahasuar me marsin 2014. Peshën më të madhe të importeve nga vendet e BE-së e zënë: Italia me 47.4%, Greqia me 13.2% dhe Gjermania me 11.2%.

Gjirofarm SH.A