Raporti i FMN: Parashikimi për Shqipërinë, rritje 3 për qind

15 Prill 2015 – Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se perspektiva e ekonomisë botërore është e pabarabartë. Në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomisë globale dhe pritshmëritë, FMN-ja thotë se rritja ekonomike po fuqizohet në vendet e pasura, por po dobësohet në ekonomitë në zhvillim.

Të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ekonomitë e zhvilluara do të rriten këtë vit me 2.4% nga 1.8 që u rritën një vit më parë. Ndërsa në ekonomitë në zhvillim rritja do të ngadalësojë nga 4.6 vjet, në 4.3% këtë vit, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë kineze, por edhe problemeve në Rusi dhe Amerikën Latine.

Për Shqipërinë, Fondi i ka mbajtur të pandryshuara vlerësimet dhe pritshmëritë e ekonomisë. Në raport thuhet se, vitin e kaluar prodhimi kombëtar u rrit me 2.1%, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 3%.

Sipas FMN-së, rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare do të vazhdojë gradualisht. Për vitin 2016, FMN-ja parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 4%, ndërsa në periudhë afatgjatë vlerëson se rritja do të stabilizohet në 4.5%, dukshëm më e ulët nga nivelet përpara krizës.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A