QKB: Këtë vit janë rregjistruar 9800 biznese të reja

31 Maj 2016 – Janë mbi 9800 subjekte të reja të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit për 5-mujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të QKB, rritja krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është 24 përqind, e cila i dedikohet edhe luftës kundër informalitetit.

Sipas llojit të aktivitetit, rezulton se shumica e bizneseve të reja janë në fushën e shitjes dhe servisit të automjeteve me 3366 subjekte.

Aktiviteti i dytë është ai bar-restoranteve dhe hoteleve me mbi 2350 njësi të reja, për të vazhduar me industrinë përpunuese me 651 biznese, shërbimet administrative, profesionet e lira dhe shërbimet e transportit.

Nga ana tjetër, numri i bizneseve të huaja të reja është 680 për 5-mujorin. Edhe për këtë kategori, llojet e preferuara të aktiviteteve janë ato që lidhen me shitje dhe serviset të automjeteve, bar-restorantet, industrinë përpunuese dhe profesionet e lira.

Ndërkohë, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi ishte pikërisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të parë se si funksionojnë procedurat e regjistrimit.

“Unë kuptova që për një orë kishte sportele që kishin arritur në numrin 38 ose 34 biznese që kishin marrë në konsideratë, që tregon se ka eficiencë për disa çështje që ato kanë nevojë të zgjidhin”, tha ajo.

Qendra Kombëtare e Biznesit ka bashkuar në një institucion, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe atë të Licencimit.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A