Qeveria përfiton nga rënia e interesave në treg

26 korrik 2016 – Edhe pse borxhi publik i Shqipërisë është rritur me ritme të shpejta gjatë 5 viteve të fundit, fatura e interesave që qeveria paguan për të ka shënuar rënie të ndjeshme.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për përiudhën 2010-2015, borxhi kombëtar u rrit më mbi 14 pikë përqindjeje në raport me prodhimin e ekonomisë. Por, për të njëjtën periudhë, fatura e interesit që paguan buxheti u lehtësua nga 3.36 për qind e prodhimit kombëtar që ishte, në vetëm 2.67 për qind.

Ulja e kostos së borxhit është rezultat i rënies së fortë të interesave në treg, si për borxhin e marrë brenda vendit, ashtu edhe për atë të jashtëm.

Sipas Ministrisë së Financave, në qershor të këtij viti, interesi mesatar i borxhit publik zbriti në nivelin më të ulët historik prej 4.66 për qind, në një kohë që në vitin 2010 Shqipëria paguante për borxhin një interes mesatar prej 8.7 për qind.

Rënia e interesave në treg është një tendencë globale. Ajo reflekton ambientin e vështirë ekonomik, por edhe politikën agresive të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Nga viti 2011, banka qëndrore e ka ulur 16 herë më radhë normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në minimumin historik prej 1.25 për qind.

E ndërsa efektet e kësaj politike në ekonomi kanë qenë një temë e nxehtë debati mes ekspertëve, ka një pikë ku të gjithë bien dakord. Përfituesi më i madh i lehtësimit të politikës monetare, të paktën deri tani, ka qenë qeveria.

(Top Channel )

Gjirofarm SH.A