Qeveria ka nisur testimin e punonjësve të administratës tatimore dhe doganore, pas tre muajsh trajnim në Akademinë Fiskale.
Të parët që i janë nënshtruar provimit kanë qenë rreth 200 punonjës të administratës tatimore. Ndërsa javën që vjen në testim pritet të hyjnë punonjësit e doganës.
Ky testim është pjesë e vlerësimit vjetor për të punësuarit, ndërsa për të punësuarit e rinj është mundësia e konfirmimit ose e kalimit me sukses e periudhës së provës.
Testimi është kryer në ambientet e Fakultetit Ekonomik dhe është ndjekur nga afër nga zv/ministri i Financave, Ervin Mete.
Në ciklin e trajnimeve të ofruara nga lektorët e kompanisë ‘Crown Agents’, por edhe nga specialistë shqiptarë të fushës morën pjesë rreth 550 punonjës të administratës tatimore e doganore, të punësuar rishtazi dhe 85 drejtues të lartë.
Përveç punonjësve të dy administratave fiskale, në to morën pjesë dhe përfaqësues të biznesit, me qëllim shmangien e interpretimeve subjektive të ligjeve fiskale.