Qeveria, investime me privatët në 6 sektorë strategjikë

26 Dhjetor 2015- Qeveria shqiptare mund të marrë pjesë si aksionere, në investime strategjike me qëllim fitimi, bashkë me kompanitë private.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit disa vendime të posaçme, në të cilat jo vetëm që krijojnë hapësirën e pjesëmarrjes së shtetit në investime të drejtpërdrejta, por përcaktojnë edhe kriteret se si një projekt mund të marrë statusin e investimit strategjik.

Sipas vendimeve, do të jenë 6 sektorë të ekonomisë, të cilët do të konsiderohen si strategjikë. Ato janë: sektori energjetik dhe minerar, ai i transportit, bujqësia, turizmi, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit, si dhe zonat me përparësi zhvillimin ekonomik. Do të jenë vetëm projektet në këto sektorë, ato që mund të marrin statusin e investimeve strategjike.

Sipas Këshillit të Ministrave, përfshirja e shtetit në këto investime mund të ndërmerret nga vet qeveria, por mund të propozohet edhe nga kompanitë private, bashkëpjesëmarrëse në investim.

Këto ndryshime i hapin rrugë qeverisë të investojë drejtpërdrejt në ndërtimin e hidrocentraleve, fermave bujqësore, turizëm apo në sektorë të tjerë, në bashkëpunim me privatët. Përfshirja e qeverisë mund të jetë përmes kapitalit financiar nga buxheti, apo përmes vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, si toka, ndërtesa, makineri pajisje etj.

Pas realizimit të projektit strategjik, shteti shpërblehet nëpërmjet pagesës së tarifave, fitimeve të realizuara, apo nëpërmjet formave të tjera të përcaktuara në kontratën me investitorin strategjik.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A