Qeveria financon 300 mijë lekë për bizneset e reja

Çdo biznes i ri (start up) mund të aplikojë për të fituar një financim deri 300 mijë lekë nga shteti përmes fondit të krijuar për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja. Në dispozicion të këtij fondi, Këshilli i Ministrave ka vënë një shumë totale prej 25 milionë lekësh, e cila do të lëvrohet për katër vitet e ardhshme, duke nisur nga 2014-ta deri në 2017-ën.

“Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të reja, ndërmarrje mikro dhe të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në: sektorët prodhues dhe të shërbimit; sektorin e industrisë së lehtë; sektorin e turizmit; fushën e kërkimit dhe të zhvillimit; procesin e agropërpunimit; fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit”, shpjegon vendimi i qeverisë për krijimin e fondit, i publikuar në Fletoren Zyrtare.

Përfituesit
Gëzojnë të drejtën e përfitimit nga ky fond, ato sipërmarrje të reja të cilat e ushtrojnë veprimtarinë në sektorët e sipërpërmendur dhe janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për një periudhë nga 1 deri në 2 vjet. “Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë”, theksohet në vendimin e qeverisë.

Kushtet
Pagesa e fondit të përfituar do të bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/ vërtetojnë shpenzimet e kryera. Fondi i përfituar nuk mund të jepet më tepër se një herë për të njëjtën sipërmarrje. Sipërmarrjet e reja, për të përfituar nga fondi duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla; të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit; të kenë një plan biznesi ose një projekt dhe të jenë të afta për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara; të krijojnë minimalisht 1-3 vende të reja pune brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit. Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A