Projekti TAP, Gjiknuri: Po punojmë për një treg të gazit në Shqipëri

18 Shkurt 2015 – Projekti për gazifikimin e Shqipërisë ka mbledhur të martën në një tryezë ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri, specialistë të fushës dhe përfaqësues të kompanive investitore, MEI dhe Socar. Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri e vuri theksin tek nevoja për diversifikimin e burimeve të energjisë në vend.

“Po punojmë që të kemi një plan për tregun e gazit në Shqipëri, pasi ka një interes të madh për përdorimin e gazit si nga familjet, ashtu edhe nga shumë industri. Po punojmë që tregu i gazit në Shqipëri të bëhet një realitet, për shkak të ndërtimit të TAP, mund të ketë gaz të tepërt e Shqipëria duhet të përfitojë nga një treg gazi. Gjithashtu, kërkesat e Evropës për gaz janë shumë të mëdha”, ka thënë Gjiknuri.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë azere Socar, Ibrahim Idarov e cilësoi si shumë të rëndësishëm projektin për gazifikimin e Shqipërisë, ndërsa shprehu interesin për zgjerimin e bashkëpunimit.

“Shqipëria është një vend mjaft i rëndësishëm për shtrirjen e këtij projekti, zbatimi i të cilit hap vende të reja pune në vendet ku kalon”, deklaroi Idarov.

(Shqiptarja.com)

Gjirofarm SH.A