Procedurat e reja tatimore, Beqiraj: Vetëdeklarimet, pa ndëshkim

13 Nëntor 2015 – Ministria e Financave u bën thirrje bizneseve të shfrytëzojnë hapësirën, që jep ligji i ri i procedurave tatimore, për të vetëdeklaruar pa ndëshkim të gjithë mallin, që kanë pa faturë nëpër inventarët e tyre.

Zëvendësministrja Irena Beqiraj tha se, kjo e drejtë i jep çdo biznesi mundësinë, që të nisë një kapitull të ri në raport me ligjin.

“Kjo do t’i japë një lehtësi shumë të madhe biznesit të vogël, që të ndahet nga e kaluara pa faturë, si dhe të fillojë me një epokë të re, ku çdo lëndë të parë që duhet ta blejë nga biznesi i madh, duhet ta blejë me faturë. Kjo ndihmon ndërkohë biznesin e vogël të justifikojë të gjithë mallin që ka pas marrë dhe do të blejë rishtazi, sigurisht me faturë, por është shumë e rëndësishme edhe për biznesin e madh, sepse i vë të gjithë operatorët në treg, përfshi prodhues dhe importues, në kushte të barabarta”, tha Irena Beqiraj.

Ligji i ri i procedurave tatimore, që hyri në fuqi këtë të enjte, ashpërson fort masat ndëshkuese ndaj bizneseve, që kryejnë evazion fiskal. Zëvendësministrja Beqiraj thotë se, autoritetet nuk do të tolerojnë askënd, qoftë bizneset e mëdha që shesin pa faturë tatimore, ashtu dhe ato të voglat që blejnë mall nga to pa këtë dokument.

“Të gjitha ato biznese që do të kenë gjendje inventari pa faturë, do të gjobiten dhe në të njëjtën kohë do t’u konfiskohet malli. Ndërkohë do të fillojë procedurë hetimore për të gjithë bizneset e mëdha, te të cilët këta të tjerët janë furnizuar pa faturë”, tha më tej Irena Beqiraj.

Për të kufizuar shtigjet për evazion, ligji vendos edhe një kushtëzim tjetër, atë që ndalon biznesin e madh të shesë mall drejtpërdrejt te konsumatori final me kupon tatimor.

“Deri më 31 mars të vitit 2016, e kemi vënë kusht që bizneset e mëdha te tregtia me shumicë dhe prodhuesi, mund të shesin vetëm 10% të xhiros tek individi, apo shitje me pakicë. Pastaj nuk e kanë më këtë të drejtë, vetëm nëse do të kenë të gjithë kanalin e shpërndarjes, pra do të kenë edhe pikat e tyre të pakicës”, deklaroi zv.ministra e Financave, Beqiraj.

Bizneset, të cilat kapen me mall të padokumentar me faturë tatimore, gjobiten nga 5 deri në 10 milionë lekë dhe u sekuestrohet i gjithë malli. Ndërsa për bizneset e mëdha, kur rasti përsëritet, nis automatikisht hetimi penal.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A