Pritet rritja e çmimit të miellit. Rusia vendos tarifa shtesë

27 Janar 2015 – Ministria e Bujqësisë paralajmëron rritje të çmimit të miellit dhe drithërave, si pasojë e ndryshimit të konjukturave ndërkombëtare të tregtisë së miellit nga eksportuesit rusë dhe rritjes së çmimit të dollarit në treg.

“Për arsye të ndryshme eksportues të mëdhenj të miellit siç është Rusia po aplikojnë tarifa suplementare për miellin e eksportuar. Po ashtu u diskutua një situatë e disfavorshme si pasojë e rritjes së dollarit, ju e dini që mielli kuotohet në bursë dhe forcimi i dollarit është në disfavor të sasive të importuara”, tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ministri i Bujqësisë diskutoi me prodhues të miellit dhe drithërave mbi masat që duhen marrë, me qëllim parandalimin e rritjes së çmimit të këtij produkti që jep efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të një sërë produktesh të tjera bazë.

“Ne do të orientohemi drejt operatorëve të rinj. Po ashtu u diskutua rritja e stokut të rezervës, nga një 1 muaj që është aktualisht në dy-tre muaj, për të kundërbalancuar rritjen e mundshme të çmimit”, tha Panariti.

Shqipëria importon rreth 140 mijë ton miell në vit nga Rusia, e cila siç shprehet ministri Panariti, për shkak të sasisë së madhe që prodhon ofronte një çmim shumë më konkurrues se vendet e tjera.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A