Presidenti thirrje investitorëve sllovenë: Tregu shqiptar ofron mundësi të shumta

29 Tetor 2014 – Gjatë vizitës së tij në Slloveni, Presidenti Bujar Nishani ftoi investitorët sllovenë të investojnë në Shqipëri pasi tregu ynë ofron mundësi të shumta. Në fjalën e mbajtur në Forumin e përbashkët të Biznesit Shqiptaro-Slloven, presidenti Nishani theksoi se tregu shqiptar, ofron mundësi të shumta falë pasurive të ndryshme natyrore, bukurive të bregdetit dhe maleve tona, kulturës dhe historisë së pasur, traditave dhe mikpritjes së njohur shqiptare.

“Shqipëria ka një fuqi punëtore të re konkurruese, të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Programet e “fondit të ekselencës” dhe “brain gain” kanë bërë një balancim të admirueshëm të largimit të trurit nga vendi, veçanërisht, në fillim të viteve 90-të. Klima miqësore ndaj biznesit ekziston dhe konsolidohet vazhdimisht. Besimin tim e mbështes te Plani Ekonomik ambicioz i Qeverisë dhe përpjekjet për të reformuar administratën në përgjithësi dhe atë fiskale në veçanti, në aftësinë e institucioneve për të luftuar informalitetin dhe korrupsionin, tek hapat e ndërmarra për një kualifikim më të mirë të forcës punëtore në përputhje me standardet e BE-së”- tha presidenti shqiptar në takimin që u zhvillua në Dhomën e Tregtisë së Sllovenisë.

Nishani garantoi investitorët e huaj se në Shqipëri po reformohet drejtësia, përmes një procesi transparent, të bazuar në profesionalizëm dhe që synon ta ruajë atë nga presionet politike dhe nga grupet e interesit, me qëllim që ta bëjë më efikase në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

(president.al)

Gjirofarm SH.A