Porti 5 miliardë USD në Kavajë, komisioni miraton projektligjin

20 korrik 2016 – Komisioni i veprimtarive prodhuese miratoi projektligjin që autorizon tre ministri të negociojnë kontratën e portit gjigand të Kavajës. Por deputetët ishin jo pak skeptikë.

“Kjo që thuhet në letër, që është vendi më i përshtatshëm në Mesdhe, në ç’aspekt është”, pyeti Namik Kopliku, deputet i PS. “Sepse e shohin si një pozicion strategjik, që mund të lidhet me Rotërdamin dhe Kanalin e Suezit”, sqaroi ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Por skepticizmi më i madh ka lidhje me garancitë financiare të kompanive që do ndërtojnë projektin 5 miliardë dollarësh. “Vetë kompania aplikuese ka një kapital prej 100 stërlinash”, deklaroi deputeti i PD, Helidon Bushati.

“’Starbridge Poor Development LTD’ shërben si kompani që mikson disa investitor siç është ajo vetë, ‘William Blair’, apo ‘Icon Capital’”, sqaroi sërish ministrja Ekonomi.

“Si janë angazhuar këto kompani në këtë konsorcium?”, pyeti deputeti Eduard Shalsi.

“‘William Blair’ është angazhuar me memorandumin e saj, me SPV-në që e ka të regjistruar në Uells. Ky është një moment angazhimi shumë pozitiv për ne”, vijoi Ekonomi.

“Asnjë prej këtyre kompanive nuk tregon në një rresht të vetëm projektet për të bashkëpunuar me kompanitë që kanë aplikuar në Shqipëri”, insistoi deputeti Bushati.

Drafti u miratua vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita abstenoi duke kërkuar më shumë transparencë për projektin, i cili sipas qeverisë do të hapë 70 mijë vende pune.

( Top Channel )

Gjirofarm SH.A