Përjashtohen nga taksat e importit furnizimet me karburant në 200 litra

14 Maj 2015 – Automjetet që furnizohen me karburant deri në 200 litra do të përjashtohen nga taksat. Për mjetet e tjera do të ketë regjim standard doganor, sipas niveleve tarifore ligjore.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin lidhur me kufizimin e karburantit. Ky urdhër vjen në kuadër të aksionit të qeverisë kundër informaliteti në tregun e karburanteve. Ai synon të disiplinojë importin e karburantit.

“Do të përjashtohet nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare, vetëm për sasinë deri në 200 litra për automjet dhe për çdo udhëtim. Po sipas këtij urdhri, duke filluar nga data 12.05.2015 është i përjashtuar nga detyrimet e importit, karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare që kryejnë transport ndërkombëtar nëpër zonën e tyre kufitare me thellësi maksimale prej 15 km në vijë ajrore, me kusht që udhëtimet të kryhen nga banues të zonës kufitare, vetëm për sasinë deri në 150 litra për automjet dhe për çdo udhëtim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave.

Në këtë urdhër saktësohet se “nuk lejohet përjashtim nga detyrimet e importit për karburantin që mbahet në serbatorë të lëvizshëm, që transportohet nga automjete private dhe motoçikleta që i përkasin banuesve të zonës kufitare”.

Në rast se nga administrata doganore konstatohet tejkalim i sasive të karburantit të përcaktuar, ndaj subjektit apo individit zbatohen të gjitha detyrimet e importit, sipas nivelit tarifor të zbatueshëm në datë kur ndodh mosrespektimi.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A