Pensionet, Shqipëri–Luksemburg marrëveshje për tërheqjen e kontributeve

29 Tetor 2014 – Rreth dy mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Luksemburg mund të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin shqiptar, nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas. Njoftimi zyrtar vjen pas marreveshjes te nenshkruar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe ministri i Mbrojtjes Sociale i Luksemburgut, Romain Schneider.

“Në 1 Janar 2015 nis zbatimi i reformës së pensioneve dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me keto marrëveshje dypalëshe është t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi se ku punoni, por për sa kohë që i deklaroni vitet tuaja të punës në Shqipëri apo në një vend tjetër të BE-së, ato do t’ju njihen të gjitha. Ky është një apel për qytetarët se që nga 1 Janari, cdo muaj apo vit i deklaruar, sjell një pension më të lartë”, nënvjëzoi Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas tij, marrëveshja e pensioneve me Luksemburgun na ndihmon të krijojmë një precedent për të kërkuar dhe lidhur të tjera marrëveshje të ngjashme me vendet ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i lartë.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, sqaroi se me nënshkrimin e marreveshjeve të tilla me vende si Belgjika apo Luksemburgu bëjnë të mundur që një emigrant shqiptar në Greqi apo Itali, mjafton të ketë punuar qoftë edhe një muaj në një nga vendet me të cilat Shqiperia ka nënshkruar marrëveshjen, mund të përfitojë njohjen e kontributeve të pensionit të fituara në secilin prej vendeve të BE-së.

Ministri për Mbrojtjen Sociale i Luksemburgut, z. Schneider, tha se marrëveshja me Shqipërinë është një akt i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për një konventë në fushën e sigurimeve shoqërore. “Nënshkrimi i marrëveshjes është hapi i parë, nderkaq ajo duhet ratifikuar nga Parlamenti i Luksemburgut. Shumë shpejt do t’ia paraqesim Dhomës së Përfaqesuesve dhe Këshillit të Shtetit, e më pas do të diskutohet nga komisionet parlamentare. Gjithsesi, procedura nuk zgjat shumë dhe besoj se marrëveshja do të hyjë në fuqi shumë shpejt”.

Përvec Belgjikës dhe Luksemburgut, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, ndërkohë që vijojnë bisedimet me Gjermaninë, Cekinë, Rumaninë dhe Austrinë. MMSR do të nënshkruajë shume shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë, e nga ana tjetër synon të bashkëpunojë edhe me Italinë dhe Greqinë, vende ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.

Gjirofarm SH.A