Pas zgjedhjeve, fluks prenotimesh

28.06.2017 Përfundimi i votimeve të dielën, sipas operatorëve turistikë ka rritur në mënyrë të menjëhershme numrin e prenotimeve të shqiptarëve për pushime jashtë vendit.

“Duke filluar që ditën e hënë numri i rezervimeve është shtuar”, thotë Ornela Zholaj, operator turistik.

“Kanë filluar edhe udhëtimet që ditët e para pas zgjedhjeve, fluturimet kanë shkuar plot, autobusët plot. Pra filloi situata normale”, deklaron Besnik Vathi, operator turistik.

Në këtë sezon turistik, operatorët presin një rritje me rreth 30 përqind të rezervimeve.

“Pritet që muaji korrik dhe gusht të ketë një rritje të konsiderueshme edhe për të kompensuar ata që nuk mundën të bënin dot pushimet në muajin qershor”, shprehet Zholaj.

Por një tjetër arsye është rritja e ofertës nga vetë operatorët.

“Ka zgjerim të ofertës për të gjitha shtresat për të gjitha ofertat për buxhete të ulëta dhe të larta. Ofrohen edhe hotele me dy yje all inclusive nëse më parë kanë qenë tre katër apo 5 yje”, thotë Vathi.

Destinacioni më i pëlqyer mbetet Turqia për shkak të raportit të mirë çmim-cilësi, ndërsa në vendin e dytë renditet Greqia dhe ishujt e saj.

/ Top Channel

Gjirofarm SH.A