Nis zyrtarisht “korridori jugor” i gazit

24 Shtator 2014 – Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ishte në Baku të Azerbajxhanit, prej nga iu dha udhë nisjes zyrtare të punës për ndërtimin e “korridorit jugor” të gazit, pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi “Trans-Adriatik”.

Projekti nis me fushat e Shah Denizit, prej nga buron gazi natyror, që më pas transportohet përmes gazsjellësit “Tanap”, që kalon në territorin turk deri në Greqi. Këtu lidhet me “Trans-Adriatik” për t’u shpërndarë nga Italia në vende të ndryshme të Evropës.

Në kushtet aktuale gjeopolitike në Europën Lindore, krahas përfitimeve ekonomike për vendet në të cilat do të kalojë, ky projekt ul varësinë e gazit rus për Bashkimin Europian dhe vendet e tjera të Evropës.

Duke theksuar se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet kontraktuale për të siguruar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për ndërtimin e TAP, ministri Gjiknuri tha se ky projekt është një burim zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjithë Evropën Juglindore.

“Korridori jugor” i gazit është i gjatë mbi 4.000 km, përshkon shtatë vende, duke përfshirë shumë kompani energjie. Ai është i përbërë nga disa projekte të veçanta energjitike, që përfaqësojnë një investim të përgjithshëm prej rreth 45 miliardë dollarësh.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A