Nis operacioni masiv ndaj vjedhësve të energjisë

27 Tetor 2014 – Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të hënë nisjen e operacionit masiv dhe të thellë ndaj vjedhësve të energjisë, për të kthyer njëherë e mirë faqen në këtë sektor dhe për ta kthyer këtë pasuri në një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke folur në takimin “Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”, Rama shprehu qëndrimin e ashpër të Qeverisë se nuk do të ketë shpëtim për ata që e vjedhin energjinë elektrike.

“Ky operacion do ta kthejë energjinë nga një pasuri që mund të vidhet lirisht, në një burim mirëqënie dhe rritjeje ekonomike, në një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, me premisën që kushdo që e konsumon e paguan atë”, theksoi Rama.

Shefi i Qeverisë theksoi se nuk mund të ketë më vlerë justifikimi se vjedhja e energjisë është e drejtë për aq kohë sa shqiptarët janë të varfer.

“Nuk është varfëria arsyeja përse ka vjedhje të energjisë. Nuk mundemi të humbasim 150 milionë euro cdo vit nga vjedhja e energjisë. Nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk ka mundësi ta paguajë energjinë e shpenzuar, por Shqipëria nuk ka mundësi ta kapërcejë këtë fazë të zhvillimit ekonomik dhe social”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se epoka e vjedhjes së energjisë po mbyllet dhe tani do të hapet një tjetër epokë që do të sjellë normalitetin në këtë sektor.Sipas tij,parashikohet denim me 3 vjet burg per ate qe e vjedh energjine dhe 5 vjet burg per bashkepunetoret, ata qe ndihmojne per te realizuar kete vjedhje, ndaj kerkoi edhe bashkepunimin e gjykatave per te ndeshkuar sic duhet pergjegjesit.

Me heret ishte ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ai i cili vlerësoi se sistemi energjetik në Shqipëri ndodhet në një situatë kritike për shkak të vjedhjes së energjisë.

“Jemi përpara një situate kritike të vjedhjes së energjisë. Falenderoj kryeministrin, jo për shkak kortezie, por për rëndësinë që i ka dhënë mesazhit për të luftuar abuzimet në sistemin e energjisë. Kjo terapi kaq e nevojshme është faza e parë, ka plagë të thella”, u shpreh Gjiknuri.

Shqipëria, sipas një deklarate të javës së shkuar të kryeministrit Rama, humbet çdo vit 150 milionë euro nga vjedhja e energjisë elektrike dhe një dëm i këtyre përmasave po mban peng të ardhmen e vendit, duke penguar realizimin e projekteve jetike.

Ditët e fundit, policia ka bërë edhe arrestimet e para ndaj atyre që kanë vjedhur energjinë elektrike në Vlorë dhe Tiranë

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A