Ndryshon fituesi i koncesionit Durrës-Kukës

Komisioni i Prokurimit Publik ka përmbysur rezultatet e tenderit në koncesionin e mirëmbjatjes së rrugës Durrës-Kukës.

Top Channel ka mësuar se komisioni ka skualifikuar konsorciumin e udhëhequr nga kompania turke “Vendeka Bilgi” dhe ka shpallur fituese atë të renditur në vendin e dytë, që përbëhet nga një grup kompanish shqiptare.

Tenderi për mirëmbajtjen e rrugës Durrës-Kukës u zhvillua dy muaj më parë nga Ministria e Transporteve. Pas procedurës, Ministria e Transporteve shpalli fituese një konsorcium kompanish turko-indoneziane, të kryesuar nga “Vendeka Bilgi”.

Por vendimi u kundërshtua nga konsorciumi i renditur i dyti, i cili e ankimoi atë në Komisionin e Prokurimeve.

Sipas këtij konsorciumi, kompania e renditur e para nuk plotësonte kriteret ligjore dhe kishte ofruar një çmim më të lartë për buxhetin dhe qytetarët për të kryer shërbimin e mirëmbjatjes.

Ankimimi duket se është gjetur i drejtë nga Komisioni i Prokurimeve, i cili ka vendosur të përmbysë rezultatet e shpallura nga Ministria, si dhe të shpallë fituese konsorciumin shqiptar të përbërë nga kompanitë “Kastrati” dhe “Salillari”, që në ofertën e saj ka kërkuar 8 milionë euro më pak subvencion nga buxheti dhe ka parashikuar të vjelë 175 milionë euro më pak nga qytetarët.

“Top Channel”

Gjirofarm SH.A