Ndalohet “ngrirja” e llogarive të KESH, OSHEE, OST

16 Mars 2015 – Komisioni i Veprimtarive Prodhuese votoi një projektligj që u heq të drejtën prodhuesve të vegjël dhe kompanive të përmbarimit të ngrijnë llogaritë e kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST për pagesat e vonuara në detyrime kontraktore.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, tha se kjo masë e përkohshme kërkohet si pasojë e gropës financiare që vijon të shqetësojë sektorin energjetik, pavarësisht rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet.

Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, propozoi caktimin e një afati konkret për shfuqizimin e titullit ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike që mund të jetë Dhjetori i vitit 2017 apo Janari i 2018-s, kur, siç parashikon qeveria, sektori mund të dalë nga kriza.

Borxhi në total kap shifrën e 1.1 miliardë dollarëve, por ministri Gjiknuri tha se kjo shifër është ulur me 150 milionë dollarë si pasojë e masave të ndërmarra deri tani. Referuar borxhit ndaj HEC-eve, ministri tha se do të shlyhet në masën 100% brenda gjashtë muajve që vijnë.

Ndërkohë, qeveria thotë se po kryen në afat pagesat e faturave korrente për çdo muaj.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A