Miratohet në parim paketa fiskale, priten ndryshime për taksat

13 Nëntor 2014 – Komisioni Kuvendor i Ekonomisë miratoi në parim paketën e re Fiskale sipas variantit të Qeverisë. Por Erjon Braçe, la të kuptohet se gjatë votimit nen për nen, deputetët do të bëjnë ndryshime.

“Bëhet fjalë vetëm për votimin në parim. Jam shumë i qartë që keni vërejtje për secilin nga nenet e këtyre projektligjeve. Do të diskutojmë të gjithat nenet në ditët e ardhshme. Por po flas për të hapur rrugën për të bërë ato ndryshime të domosdoshme, për të cilat kemi folur gjatë kësaj periudhe”, tha kreu i Komisionit, Braçe.

Pika më e përfolur është ajo që heq akcizën për pijet energjike, për të cilën deputetët e maxhorancës kanë shprehur rezerva të forta.

Akciza mbi këto produkte u vendos këtë vit, por siç e pranoi drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali tregtarët e kanë shmangur taksën.

“Ata kanë hequr nga përmbajtjet kanë hequr të gjitha produktet që e bëjnë një pije energjike. Ne e kemi referuar këtë gjë në të gjitha institucionet, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Ekonomisë dhe kemi thënë që institucione të tjera duhet të merren me mashtrimin ndaj konsumatorit”, tha Spiropali.

Të dhënat tregojnë se importi i deklaruar i pijeve energjike ra me tre herë nga 11 mijë tonë vitin e kaluar, në 3 mijë e 300 tonë këtë vit. Në të njëjtën kohë çmimi i tyre në treg është rritur, duke bërë që konsumatorët ta paguajnë taksën shtesë edhe pse ajo nuk ka përfunduar në buxhet, por në xhepat e tregtarëve, përmes një skemë të ngjashme me atë të cigareve.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A