Miratohet marrëveshja për heqjen e tatimit të dyfishtë me Islandën

19 Shkurt 2015 – Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin me Islandën. Kjo marrëveshje ka si qëllim nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare midis dy vendeve.

Deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli gjatë diskutimit vlerësoi si të rëndësishme marrëveshjen për thithjen e investimeve të huaja. Angjeli kërkoi që qeveria të hartojë një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Një kërkesë e tillë”, tha ai, “ka ardhur edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë”.

Kjo marrëveshje krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve ose personave juridikë shqiptarë apo islandezë që kanë aktivitete biznesi ose të ardhura të tjera, që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të dy shteteve. Marrëveshja, dispozitat e së cilës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dy vendeve, trajton faktin se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë, dhe gjithashtu, ka dispozita në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.

(Shqiptarja.com)

Gjirofarm SH.A