Ministri i Financave prezanton projektbuxhetin për 2015-n

5 Nëntor 2014 – Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka prezantuar sot në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2015. Objektivi i parë është të rrisim ekonominë dhe të reduktojmë borxhin. Do ndërhyjmë në pensione dhe energji. Buxheti tenton të rrisë ekonominë në 4-5% pas vitit 2017”- ka deklaruar Cani.

Sipas ministrit, Borxhi Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB-së, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB.

Rritja ekonomike, pritet të rimëkëmbet gradualisht në 3% në vitin 2015, e më pas të arrijë 4% në vitin 2016 dhe 4.5% në vitin 2017. Ndikim të rëndësishëm pritet të kenë disa faktorë të jashtëm, vazhdimi i rimëkëmbjes ekonomike të Eurozonës dhe veçanërisht në Greqi, pavarësisht ritmit më të ulët nga sa pritej, si dhe disa faktorë të brendshëm si rritja e IHD-ve, veçanërisht në energji, rritja e eksporteve, si dhe progresi i dukshëm në projekte investimesh të rëndësishme.

Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë, ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliard lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014.

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB. “Bazuar në parashikimet afatmesme, shpenzimet totale buxhetore parashikohen të ulen në terma realë (30.6% e PBB në 2016 dhe 29% të PBB në 2017) duke reflektuar kësisoj objektivin e uljes së borxhit publik gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, niveli total i investimeve publike i parashikuar për periudhën 2015-2017, reflekton një trend konstant përgjatë kësaj periudhe me një mesatare prej 5.3% të PBB. Ky fakt, konfirmon dhe një herë prioritetin e Qeverisë për të kontribuar aktivisht në rritjen ekonomike dhe rritjen e nivelit të punësimit në vend”, sqaroi ministri Cani.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë ose 7.1% e PBB, me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014. Për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë, që mbulon rritjen e parashikuar të të gjitha pensioneve, në përputhje me reformën e re të këtij sektori, e cila starton zbatimin e saj në 1 janar 2015.

Shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2015 janë parashikuar në masën 35 miliardë lekë ose 2.3% e PBB, me një rritje në masën 2.1 miliardë lekë krahasuar me vitin 2014.

Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish-Pronarëve, parashikohet në total në masën prej 1.4 miliardë lekë ose 0.1% e PBB, i njëjti nivel si në buxhetin fillestar 2014.

Për ish-të përndjekurit, është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB, me një rritje në masën 200 milionë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014.

“Është parashikuar edhe fondi prej 1.6 miliardë lekë si kompensim për shtresat në nevojë, në mbështetje të politikave të reja në sektorin e energjisë” deklaroi Ministri i Financave. Ky fond paraqitet me një rritje në masën 500 milionë lekë krahasuar me vitin 2014.

Njëkohësisht, për herë të parë në vitin 2015, në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në këtë zë, përfshihet edhe fondi në mbështetje të industrisë fasone, për rrjedhojë zëri Subvencione në totalin e vet paraqet një rritje në masën 160 milionë lekë, krahasuar me vitin 2014.

Për vitin 2015, u shpreh kreu i financave publike, fondi për detyrimet e prapambetura parashikohet në masën 20 miliardë lekë, nga 35 miliardë lekë që ishte në planin fillestar 2014. Ky nivel është përcaktuar në dakordësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Investimet Publike, për vitin 2015, janë planifikuar 5.4% e Produktit të Brendshëm Bruto ose 80 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 12.5 miliardë lekë).

Është parashikuar rritje e mëtejshme e financimit të Fondit të Zhvillimit Rajonal dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me synimin e uljes së diferencave në zhvillim mes rajoneve (qarqeve) të ndryshme të vendit. “Në planifikimin e investimeve për vitin 2015 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim”, tha ministri Cani.

Ministri i Financave parashikon se Defiçiti Buxhetor për vitin 2015 do të ulet në nivelin 4.0% të PBB nga 6.6% e PBB që ishte planifikuar në buxhetin 2014. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB.

Gjatë vitit 2015, parashikohet ulje e ndjeshme me rreth 1.4 miliardë lekë të zërit “Transferta e fitimit nga Banka e Shqipërisë”. “Parashikimi në ulje i transfertës së fitimit nga Banka e Shqipërisë, argumentohet nga ky institucion me uljen e konsiderueshme të normave të interesit, si dhe me transferimin e parakohshëm të një pjese të fitimit të vitit 2014, në buxhetin e vitit 2014. Gjithsesi, mbetet shqetësues edhe parashikimi i vitit 2016 (37.2 milionë lekë) dhe i vitit 2017 (842 milionë lekë) për këtë zë nga Banka e Shqipërisë, parashikime të cilat janë nën nivelin e pritshëm të këtij zëri për këtë periudhë në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2015-2017, si dhe mbi 10 herë nën mesataren prej rreth 5.2 miliardë lekë të realizuar në periudhën 2011-2013” tha Cani.

Numri i punonjësve për vitin 2015 arrin në 87,700 punonjës, duke reflektuar kësisoj dhe shtesën prej 1200 punonjësish në sistemin e policisë së shtetit, në përputhje me prioritetet e Qeverisë”, sqaron ne prezantimin e projektbuxhetit per vitin e ardhshem Ministri i Financave.

Programi i Investimeve per 2015

Ministri i Financave bëri të ditur se në programin e investimeve për vitin 2015 është rritur ndjeshëm pesha e investimeve për sektorët social, të cilat ofrojnë shërbime drejtpërdrejt të lidhura me nevojat e qytetarëve: në veçanti për sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale. Në funksion të modernizimit të shërbimeve të administratës publike janë rritur ndjeshëm investimet për teknologjinë dhe informacionin, si dhe transparencën e shërbimeve të ofruara nga qeveria. Për këtë është propozuar një program i ri për projektet e Ministrisë të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Sa i takon shpërndarjes së investimeve sipas ministrive peshën kryesore të investimeve e zë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës me rreth 58,3 % të investimeve gjithsej. Investimet për kete Ministri për vitin 2015 janë parashikuar 39,300 milionë lekë, kundrejt 35,136 milionë lekë në vitin 2014, me një rritje neto prej 11,85 %. “Rritja e investimeve brenda këtij grup-sektori, është bërë me përparësi për sektorin e furnizimit me ujë, që përbën edhe një nga prioritetet kryesore të programit të qeverisë për periudhën 2013-2017”, sqaroi Cani. Gjatë vitit 2015 do të vazhdojë financimi i projekteve në vazhdim me qëllim reduktimin e mëtejshëm të detyrimeve kontraktuale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, rritjen dhe përmirësimin e shërbimeve publike në fushën e furnizimit me ujë të popullsisë.

Për Ministrinë e Bujqësisë, që përbën një sektor të lidhur drejtpërdrejt me prioritetet e programit të Qeverisë, Cani tha se investimet për vitin 2015 janë parashikuar në vlerën 3,425 milionë lekë, kundrejt 3,185 milionë lekë të financuara në vitin 2014, me një rritje prej 7,53 %. Sipas burimit të financimit, investimet me financim të brendshëm janë parashikuar në vlerën 1,424 milionë lekë, kundrejt 925,1 milionë lekë të financuara në vitin 2014, me një rritje prej 54 % kundrejt vitit 2014.

Për Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për vitin 2015 është bërë ristrukturimi i burimeve të financimit. Investimet me financim të brendshëm janë parashikuar të financohen në vlerën 410 milionë lekë, kundrejt 242,6 milionë lekë të financuara në vitin 2014, me një rritje prej rreth 69 % kundrejt vitit 2014.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A