Ministri Cani: Ndryshim të metodës së punës në dogana

13 Korrik 2015 – “Ndryshim të metodës së punës në dogana”, ka qenë apeli i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Ai prezantoi drejtoreshën e re të Doganave, Pranvera Fagu (Behushi) dhe njoftoi planin për të përmirësuar grumbullimin e të ardhurave fiskale.

“Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”, nënvizoi z. Cani.

Ministri i Financave bëri me dije se ministria dhe institucionet në varësi të saj janë duke hartuar dhe realizuar një plan të kujdesshëm masash për të përmirësuar grumbullimin e të hyrave fiskale në tatime e dogana, etj., që i paraprin një aksioni kombëtar, në front të gjerë, në luftë kundër informalitetit.

Shërbimi Doganor Shqiptar për periudhën e gjysmës së parë të këtij viti ka krijuar një deficit në raport me treguesit e planifikuar, ndërkohë që përveç produktit cigare, të gjithë produktet e tjera të zhdoganuara, në sasi fizike, janë në një nivel më të lartë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A